Kalo te përmbajtja kryesore

Shpjegimi i kërkesave për furnitorët e Shell

Në këtë faqe mund të gjeni një përmbledhje dhe shpjegim të kërkesave për furnitorët e Shell.

1. Vlerësimi i etikës dhe pajtueshmërisë

Të gjithë furnitorët e angazhuar nga Shell duhet të veprojnë në përputhje me Parimet e Përgjithshme të Biznesit, Kodin e Sjelljes dhe Parimet e Furnitorëve të kompanisë Shell. Mosveprimi në përputhje me këto kërkesa ose me ndonjë ligj apo rregullore mund të shkaktojë gjoba, vonesa operacionale dhe dëmtim të reputacionit për kompaninë Shell, si dhe pasoja negative në mbështetjen sociale për të operuar.

Vlerësimi i etikës dhe pajtueshmërisë është procesi që siguron njohjen e shoqërisë me të cilën kompania jonë po bën biznes. Kur kemi të bëjmë me palë të treta, duhet kuptuar dhe zbatuar niveli i duhur i vlerësimit për t'u siguruar që ruhet standardi i sjelljes etike të Shell. Koha e kryerjes së verifikimit mbetet në gjykimin e profesionistëve tanë të CP. Megjithatë, vlerësimi duhet kryer përpara se një furnitor të shpallet fitues i kontratës.

Roli i furnitorit në këtë proces është të shqyrtojë dhe të konfirmojë pranimin e Parimeve të Përgjithshme të Biznesit, Kodit të Sjelljes dhe Parimeve të Furnitorëve të kompanisë Shell. Kjo duhet bërë gjatë plotësimit të Pyetësorit të Profilit të Furnitorit të Shell ose kur i përgjigjeni ndonjë ftese për pjesëmarrje në një proces, që ju është dërguar si pjesë e aktiviteteve tona për zgjedhjen e furnitorëve. Ju gjithashtu mund të kontaktoheni nga një përfaqësues i Shell për të siguruar dokumentacionin e pronësisë përfituese përfundimtare të verifikuar në mënyrë të pavarur dhe dokumentacionin e kontrollit (deri në 10% të aksioneve). Është e rëndësishme që t’i përgjigjeni në kohë kërkesës për dokumentacion. Përndryshe, furnitori mund të mos konsiderohet si një nga pjesëmarrësit në procesin e zgjedhjes së furnitorëve. Në rastet kur dokumente janë të disponueshme për publikun, përfaqësues të kompanisë Shell do të mund t'i marrin dhe aksesojnë ato vetë.

2. Vlerësimi i rreziqeve financiare

Një pjesë e rëndësishme e një aktiviteti efektiv të zgjedhjes së furnitorëve është njohja e plotë e situatës financiare të furnitorëve/nënkontraktorëve tanë, për t’u siguruar që ata janë në gjendje t’i përmbushin detyrimet e tyre kontraktuale ndaj Shell. Kjo arrihet përmes kryerjes së vlerësimeve të rreziqeve financiare dhe, sipas rastit, përgatitjes së planeve për zbutjen e rreziqeve financiare. Vlerësimi i rreziqeve financiare të furnitorit është një pasqyrë e situatës financiare dhe industriale, menaxhimit dhe pozicionit të furnitorit në industri, e përgatitur me të dhënat historike. Vlerësimi i rreziqeve financiare të furnitorit zakonisht kryhet për kontratat me rrezik të lartë dhe vlerë të madhe, por specialistët tanë të CP-së mund të kryejnë vlerësime të tilla për çdo kontratë, sipas nevojës.

Roli i furnitorit në këtë proces është të vendosë në dispozicion pasqyrat më të fundit financiare gjatë plotësimit të Pyetësorit të Profilit të Furnitorit të Shell ose kur i kërkohet nga një përfaqësues i Shell. Në rastet kur këto dokumente janë të disponueshme publikisht për personin juridik kontraktues, ne do të përpiqemi t'i marrim ato vetë.

3. Shëndeti, Siguria, Mbrojtja dhe Performanca Mjedisore dhe Sociale (HSSE&SP)

Për të arritur pajtueshmërinë me elementët kyçë të kuadrit të kontrollit HSSE&SP të Shell, ku rreziqet në cilëndo prej këtyre fushave janë të larta, duhet të vlerësojmë kapacitetin e furnitorit për të realizuar në mënyrë të sigurt objektin e çdo pune që ai merr përsipër për llogarinë tonë.

Është miratuar një qasje e bazuar në rrezik dhe e harmonizuar me industrinë, sipas të cilës nuk kërkohet kryerja e vlerësimit të kapacitetit të furnitorit për kontratat e vlerësuara me rrezik të përgjithshëm të HSSE&SP të ulët. Në rastet kur rreziku i përgjithshëm i kontratës është i lartë, do të kërkohet vlerësimi i kapacitetit të furnitorit.

Kur kërkohet nga një përfaqësues i Shell, roli i furnitorit në këtë proces është t’u përgjigjet pyetjeve të pyetësorit tonë mbi standardet HSSE&SP të industrisë dhe të ofrojë dokumentacionin mbështetës të specifikuar. Pyetësori është hartuar për të mbledhur të dhëna historike për performancën dhe informacione për sistemin e menaxhimit. Është e rëndësishme që t’i përgjigjeni në kohë pyetësorit. Përndryshe, furnitori mund të mos konsiderohet si një nga pjesëmarrësit në procesin e zgjedhjes së furnitorëve.

Ekipi i menaxhimit të kontratave i Shell do të shqyrtojë dokumentacionin e dhënë dhe do të vlerësojë qëndrueshmërinë e sistemeve të menaxhimit të furnitorit. Kjo do të mundësojë marrjen e vendimeve se cilët furnitorë do të përzgjidhen për të marrë pjesë në ftesën për ofertë.

Për kontratat që përfshijnë në objektin e punës veprimtari të caktuara me rrezik të lartë, mund të jetë e nevojshme që specialisti i HSSE&SP i Shell dhe titullari i kontratës të kryejnë një verifikim më të thelluar të sistemeve të menaxhimit të furnitorit dhe/ose një vlerësim të kapacitetit për objektin specifik. Ndonjëherë, kjo mund të kërkojë kryerjen e auditimeve në terren. Specialisti i C&P i Shell ose titullari i kontratës do të udhëzojë nëse është ky rasti. Rezultatet e këtyre vlerësimeve/auditimeve do të ndikojnë në vendimin e shpalljes së fituesit të kontratës si dhe në mënyrën se si furnitori dhe Shell do të menaxhojnë rreziqet HSSE&SP të kontratës gjatës zbatimit të kontratës. Ju lutemi klikoni këtë link për të mësuar më shumë rreth angazhimit të Shell ndaj HSSE&SP.

4. Vlerësimi i mirëqenies/të drejtave së punonjësve

Kryerja e vlerësimeve të aftësisë së furnitorëve tanë për të menaxhuar të drejtat e punonjësve/rreziqet ndaj mirëqenies së punonjësve brenda operacioneve të tyre dhe zinxhirëve përkatës të furnizimit siguron pajtueshmërinë me kërkesat e përcaktuara në Parimet e Përgjithshme të Biznesit të Shell. Gjithashtu, u komunikojmë furnitorëve pritshmëritë tona nëpërmjet Parimeve për Furnitorët e Shell.

Të gjitha kontratat e Shell përmbajnë një klauzolë që kërkon respektimin e Parimeve për Furnitorët e Shell nga ana e të gjithë kontraktorëve dhe furnitorëve. Garantimi që të gjithë furnitorët të veprojnë në pajtim me Parimet për Furnitorët e Shell është gjëja e duhur për t’u bërë dhe është pjesë integrale e detyrimit rregullator për raportimin (Akti i MB-së për Skllavërinë moderne) që Shell duhet të përmbushë.

Është miratuar një qasje e bazuar në rrezik, e cila mbështetet në kombinimin e adresës së tregtimit të furnitorit, vendit të ekzekutimit të shërbimeve/prodhimit të mallrave dhe shërbimeve që do të ofrojë furnitori. Nëse zbulohet se furnitori ka një rrezik të lartë në aspektin e të drejtave/mirëqenies së punonjësve, kryhet një vlerësim i hollësishëm i proceseve dhe sistemeve të tij të menaxhimit. Kjo bëhet për t’u siguruar që furnitorët janë të aftë për menaxhuar me efektivitet rreziqet në operacionet e veta dhe zinxhirët përkatës të furnizimit.

Gjatë këtij procesi, një përfaqësues i Shell mund t’i kërkojë furnitorit që të plotësojë pyetësorin tonë mbi të drejtat standarde të punonjësve në industri dhe të japë dokumentacionin mbështetës të identifikuar. Është e rëndësishme që ne t’i marrim në kohë përgjigjet e pyetësorit. Përndryshe, furnitori mund të mos konsiderohet si një nga pjesëmarrësit në procesin e zgjedhjes së furnitorëve.

Specialisti i Shell për të drejtat e punonjësve do të shqyrtojë informacionin dhe dokumentacionin e dhënë dhe do të vlerësojë qëndrueshmërinë e sistemeve të menaxhimit të furnitorit. Më pas, komentet përkatëse do t’i përcillen specialistit të C&P të Shell dhe titullarit të kontratës për të bërë të mundur marrjen e vendimit se cilët furnitorë do të përzgjidhen për një proces të zgjedhjes së furnitorëve, ose do merren në konsideratë në vlerësimin e çdo oferte të marrë nga furnitori përkatës.

Furnitori do të informohet për çdo mangësi të identifikuar dhe nëse vendoset që të shpallet fitues i një kontrate, pritet që ai të bashkëpunojë me titullarin e kontratës së Shell për të korrigjuar mangësitë e identifikuara brenda një afati të kufizuar dhe t’i nënshtrohet rivlerësimit.

Në rastet kur autorizohet nga furnitori, përgjigjet dhe dokumentacioni mbështetës i furnitorit do të ndahen me kolegë të industrisë të cilët i janë bashkuar Iniciativës së Përbashkët të Industrisë për të Drejtat e Njeriut (HuRi), duke nxitur standardizimin dhe efikasitetin e industrisë si për furnitorin ashtu edhe për operatorët.